“SHQIPTARËT PËR SHQIPTARËT”/ JETA MES MBETURINAVE, TË MOSHUARIT MBIJETOJNË DUKE MBLEDHUR KANAÇE (VIDEO)

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët”- shkuan në Babrru. Vendi ku jetojnë dy të moshuarit Hasan dhe Sadete Sula nuk është një vendgrumbullimi mbetjesh, por një banesë, më saktë një kasolle, pranë Bregut të Lumit. Sapo futesh në këtë derë duket sikur ke shkuar pranë një vendgrumbullimi plehrash, por nuk është kështu. Këta bidonë kryejnë një funksion jetik për ta.

“Ja me bidonët, mbledh bidona dhe jeto. Të gjithë kanë ujë, unë s’kam ujë, kam 40 vjet pa pikën e ujit, blej ujë për ditë. Një javë blejë ujë, një javë të ha bukë”.

Sadetja çdo ditë endet nëpër kazanët e plehrave, mbledh bidonë plastikë, e më pas ia shet fabrikës së riciklimit për të siguruar bukën e gojës.

“Bidonët m’i falin njerëzit, ndërsa të tjerat i grumbulloj nëpër pikat e kazanëve. Në 1.00 të natës, një thes në një ditë. Një thes katër mijë lekë, asnjë gjë, as për bukë thatë nuk të del. Kanë plot 30 vjet që blejnë ujë, pasi fqinji nuk lejon që tubacioni i ujit, të kalojë në oborrin e tij”.

“Ç’e dua këtë vuajtje unë, ne jemi duke vuajtur si qeni. Unë s’kam ujë në radhe të parë, jemi duke e blere nga 12 mijë makinën. Ma vuri ujësjellësi, ky komshiu ma hoqi as dy tre orë nuk qëndroi”-thotë i indinjuar Hasani.

Ai dikur ka punuar karrocier, por për fatkeq një ditë, në vitin 1983, karroca u thye dhe e zuri poshtë duke e lënë invalid për gjithë jetën. Ai merr një pension të vogël dhe prej tre dekadash bashkë me Sadeten jetojnë në këtë kasolle të shkatërruar, ku çfarë bie jashtë, bie edhe brenda. Jeta e tyre është e vështirë, në kufijtë e së pamundurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *